Elena Teslova
09 Shtator 2020•Përditësim: 09 Shtator 2020
Ministria e Jashtme e Rusisë sot doli me protestë kundër Grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) në lidhje me helmimin e liderit të opozitës rus Alexei Navalny, duke e cilësuar si "një sulm të pabazë", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, të publikuar në faqen e saj zyrtare, ministria tha se vazhdimisht i kërkoi Gjermanisë të ndajë informacione, e cila do të lejonte hapjen e një hetimi rreth pretendimeve të helmimit të Navalny-t.
Pavarësisht deklaratave publike nga politikanët gjermanë, duke akuzuar autoritetet ruse për përfshirje në çështje, "Berlini nuk është shumë bashkëpunues në fushën ligjore", thuhet në deklaratë.
"Mungesa e informacionit të sipërpërmendur (rezultatet e testit që konfirmojnë helmimin e Navalny-t) nuk lejon që agjencitë ruse të zbatimit të ligjit të përdorin të gjithë mekanizmat e nevojshme për të përcaktuar rrethanat e incidentit", thuhet më tej.
"Një qasje e tillë jokonstruktive e autoriteteve gjermane shoqërohet me sulme të pabazuara ndaj Rusisë".
"Fushata masive e dezinformimit tregon qartë se detyra kryesore e iniciatorëve të saj nuk është të kujdesen për shëndetin e Navalny-t dhe të zbulojnë arsyet e vërteta të shtrimit në spital, por të ushqejë ndjenjat e sanksioneve", tha ministria.
Navalny, 44-vjeçar, një kritikues i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht në një udhëtim për në Moskë. Pas një uljeje emergjente në Omsk, ai kaloi dy ditë në spital para se të dërgohej në Berlin për mjekim.
Javën e kaluar, Steffen Seiber, zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel tha se Berlini do të njoftojë BE-në dhe NATO-n si dhe Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) për gjetjen e "një agjenti nervor kimik nga grupi Novichok" në testet e Navalny-t për të përgatitur një qëndrim të përbashkët.
Ministrat e Jashtëm të vendeve të industrializuara G7 të martën i bënë thirrje Rusisë për të gjetur autorët në lidhje me helmimin e udhëheqësit të opozitës ruse dhe kërkuan që ata të nxirren para drejtësisë.