Bota

Rusia kritikon vendimin e Francës për të ndaluar atleten me hixhab në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse theksoi se ky vendim tregoi se sa ka devijuar ngjarja sportive ndërkombëtare nga synimet e vendosura nga lëvizja olimpike në Paris mbi 100 vjet më parë, duke kundërshtuar frymën olimpike

Elena Teslova  | 26.07.2024 - Përdıtësım : 26.07.2024
Rusia kritikon vendimin e Francës për të ndaluar atleten me hixhab në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës

Moskë

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, kritikoi Komitetin Olimpik Francez për ndalimin e një atleteje me hixhab të përfaqësojë vendin e saj Francën në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Paris 2024, duke e quajtur atë “një tjetër akt të qartë segregimi”, raporton Anadolu.

Sounkamba Sylla, një vrapuese franceze me ngjyrë që praktikon Islamin, i është ndaluar të përfaqësojë vendin në ceremoninë e hapjes, me Komitetin Olimpik Francez që e ka arsyetuar vendimin me ndalimin e “veshjeve tradicionale” në ngjarje sportive, tha Zakharova në një deklaratë.

Ajo theksoi se ky vendim tregoi se sa ka devijuar ngjarja sportive ndërkombëtare nga synimet e vendosura nga lëvizja olimpike në Paris mbi 100 vjet më parë, duke kundërshtuar frymën olimpike.

“Më parë, sportistët rusë dhe bjellorusë ishin gjithashtu subjekt i segregimit me pretekste të pabaza. Këto ndalime u shtrinë më vonë në mediat ruse dhe tani atletët francezë gjithashtu preken nga kjo makinë diskriminuese administrativo-politike rregullatore”, tha ajo.

Pavarësisht pretendimeve të zyrtarëve francezë për të vlerësuar diversitetin dhe shprehjen e lirë, kundërshtarët përballen me sanksione të dukshme, tha Zakharova, duke shtuar: “Parimi i shenjtë i mbajtjes së sportit të ndarë nga politika është shkelur nga Perëndimi kolektiv”.

“Duke pasur parasysh këto rrethana, Olimpiada nuk zotëron më atributet dalluese që i lejojnë ato të shihen si gara sportive të hapura, të ndershme, të drejta dhe demokratike”, përfundoi ajo.

Lojërat Olimpike Paris 2024, të cilat do të zgjasin deri më 11 gusht, fillojnë sot me një ceremoni hapjeje përgjatë Lumit Sena.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.