Dmitri Chirciu
19 Gusht 2022•Përditësim: 20 Gusht 2022
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, tha se në rajonin Kherson të Ukrainës kanë konfiskuar 12 raketa të multiraketahedhësit HIMARS, transmeton Anadolu Agency (AA).
Konashenkov në një konferencë për media foli lidhur me aktivitetet e forcave të ushtrisë ruse në luftën Rusi-Ukrainë.
Ai tha se ushtria ruse vazhdon sulmet e saj kundër elementëve ushtarakë në Ukrainë dhe se mbi 50 ushtarë dhe 12 pajisje ushtarake janë eliminuar në sulmin e ndërmarrë me armë të precizionit të lartë kundrejt pozicioneve të përkohshme të batalionit "Azov" të forcave ukrainase në rajonin Donetsk.
Konashenkov po ashtu tha se është goditur depoja e municioneve të Brigadës së 65-të të Motorizuar në rajonin Zaporizhzhia dhe se në këtë mënyrë janë shkatërruar mbi 15 automjete të blinduara. Ai pretendoi se më shumë se 100 ushtarë ukrainas janë neutralizuar në rajonin Kharkiv.
"Në 24 orët e fundit janë shkatërruar 6 qendra menaxhimi, 4 depo të municioneve dhe 13 mjete ajrore pa pilot të ushtrisë së Ukrainës", tha Konashenkov.
Ai po ashtu njoftoi se në rajonin Kherson janë konfiskuar raketë balistike Tochka-U, 12 raketa të multiraketahedhësit HIMARS, në rajonin Kharkiv 2 raketahedhës, ndërsa në Republikën Popullore Luhansk 2 raketa anti-radar të prodhimit amerikan.
"Deri më sot janë rrëzuar 267 avionë, 148 helikopterë, 1.770 mjete ajrore pa pilot, ndërsa janë shkatërruar 366 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 4.347 tanke dhe mjete të blinduara, 807 multi-raketahedhëse, 3.315 obusë dhe mortaja, si dhe 4.958 mjete ushtarake të veçanta të ushtrisë së Ukrainës", tha Konashenkov.