Alperen Aktaş
04 Qershor 2025•Përditësim: 04 Qershor 2025
Rusia pret "përgjigje të qartë" nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për sulmet e fundit të Ukrainës ndaj bombarduesve të saj strategjikë, tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov duke paralajmëruar se heshtja e mëtejshme mund të nxisë përshkallëzimin, transmeton Anadolu.
"Veprimet e Kievit synojnë qartësisht përshkallëzim të mëtejshëm. Së bashku me aleatët e tyre evropianë, ata po bëjnë gjithçka për të prishur një zgjidhje paqësore", tha Ryabkov për gazetarët.
Ai tha se Moska kishte treguar "përmbajtje maksimale" përpara raundit të dytë të bisedimeve të paqes në Stamboll, pavarësisht "provokimeve të vazhdueshme" nga Ukraina.
Duke komentuar dialogun SHBA-Rusi, Ryabkov tha se administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump "është më e prirur të dëgjojë argumentet e Rusisë" dhe konfirmoi se "dialogu është duke vazhduar dhe do të vazhdojë".
Ai paralajmëroi kundër nënvlerësimit të ndikimit të qarqeve politike amerikane që synojnë të "shkatërrojnë Rusinë".
Rusia ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën dhe mbështetësit e saj perëndimorë për nxitjen e konfliktit ndërkohë që ruan hapjen e saj ndaj bisedimeve në kushte "realiste".