Rusia pretendon se ka marrë kontrollin ndaj tre vendbanimeve në rajonin Donetsk të Ukrainës
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj morën nën kontroll fshatrat Katerynivka dhe Bohoiavlenka, të dyja të vendosura rreth 13 dhe 15 kilometra në jug të qytetit Kurakhove
Istanbul
Rusia pretendon se ka marrë nën kontroll mbi tre vendbanime të tjera në rajonin lindor ukrainas, Donetsk, teksa vazhdon ofensivën në zonë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë thuhet se forcat e saj morën nën kontroll fshatrat Katerynivka dhe Bohoiavlenka, të dyja të vendosura rreth 13 dhe 15 kilometra në jug të qytetit Kurakhove, ku ndodhet një termocentral.
Qyteti ndodhet rreth 34 kilometra në jug të qytetit Pokrovsk, një front kryesor në ofensivën e vazhdueshme të Moskës në lindje të Ukrainës.
Në deklaratën e autoriteteve ruse thuhet se forcat e saj morën gjithashtu kontrollin e qytezës Hirnyk, rreth 29 kilometra në juglindje të qytetit Pokrovsk.
Rusia shpesh ka pretenduar për fitime territoriale në muajt e fundit teksa vazhdon ofensivën e saj në Donetsk, ku në zonën përreth qytetit Pokrovsk është vërejtur aktivitet i shtuar.
Qyteti shërben si një qendër kryesore logjistike për ushtrinë e Ukrainës në rajonin e Donetskut, i cili kufizohet me Rusinë.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha në një deklaratë të mëparshme se forcat ukrainase po frenojnë trupat ruse rreth vendbanimit Katerynivka dhe kanë zmbrapsur 12 përpjekje për të thyer mbrojtjen.
Autoritetet ukrainase nuk komentuan menjëherë pretendimet e Rusisë dhe verifikimi i pavarur është i vështirë për shkak të luftës në vazhdim.