Rusia: Ukraina vazhdon sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike
Në një deklaratë nga Ministria ruse e Mbrojtjes thuhet se Ukraina ka kryer një sulm në stacionin e matjes së gazit natyror në Sudzha me multiraketahedhësit HIMARS

Moskë
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se Ukraina, pavarësisht marrëveshjes, vazhdon sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga ministria, thuhet se Ukraina ka kryer sot një sulm në stacionin e matjes së gazit natyror në Sudzha me multiraketahedhësit HIMARS.
Sipas deklaratës, për shkak të sulmit stacioni u shkatërrua. Gjithashtu thuhet se një rafineri nafte në Saratov u sulmua me mjete ajrore pa pilot (dronë) dhe se sulme me goditje artilerie janë kryer dhe ndaj objektit elektrik në Begorod.
"Premtimi i regjimit të Kievit se kanë ndaluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike civile ruse është një tjetër dredhi e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për të parandaluar rënien e ushtrisë ukrainase dhe për të rifituar potencialin e saj ushtarak me ndihmën e aleatëve të saj evropianë", thuhet në deklaratë.
Pas bisedës që presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan më 18 mars, u njoftua se Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord të ndalonin sulmet ndaj objekteve të infrastrukturës energjetike për 30 ditë.
Kremlini kishte njoftuar se në kuadrin e marrëveshjes së arritur me SHBA-në, do të ndaleshin sulmet ndaj objekteve si rafineritë e naftës dhe tubacionet e energjisë në Rusi dhe Ukrainë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.