Bota, Ekonomi

Scholz apelon për miniera të litiumit në Evropë mes shqetësimeve mjedisore

Scholz dhe i ftuari i tij presidenti serb, Vuçiq, vizituan Autoritetin e Minierave të Saksonisë dhe diskutuan mbi përdorimin e mundshëm të teknologjive gjermane për minierat e litiumit

Ayhan Şimşek  | 11.12.2024 - Përdıtësım : 12.12.2024
Scholz apelon për miniera të litiumit në Evropë mes shqetësimeve mjedisore

Berlin

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka apeluar për zgjerimin e minierave të litiumit në Evropë, duke theksuar rolin vendimtar të litiumit në tranzicionin e kontinentit evropian drejt automjeteve elektrike, transmeton Anadolu.

"Nëse do të ketë sukses kalimi në elektromobilitet, duhet të ketë gjithashtu mjaft litium për industrinë tonë. Ne kemi nevojë për këtë dhe lëndë të tjera të para kritike, si përmes zinxhirëve të furnizimit të besueshëm dhe të larmishëm, ashtu edhe përmes promovimit të minierave vendase", tha Scholz gjatë një vizite në Freiberg.

Scholz dhe i ftuari i tij presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vizituan Autoritetin e Minierave të Saksonisë për të marrë pjesë në një konferencë mbi nxjerrjen e litiumit në rajon. Scholz dhe Vuçiq diskutuan mbi përdorimin e mundshëm të teknologjive gjermane për minierat e litiumit të qëndrueshëm për mjedisin në Serbi.

Derisa Bashkimi Evropian (BE) arriti marrëveshje për litiumin me Beogradin në muajin korrik, planet për të minuar një nga depozitat më të mëdha të litiumit në Evropë kanë shkaktuar protesta të gjera nga grupet mjedisore dhe banorët, të cilët kanë shprehur frikë nga ndotja e mundshme e ujërave nëntokësore.

Scholz i pranoi këto shqetësime, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së standardeve të larta mjedisore. "Qytetarët shpesh i shohin projektet e tilla me shqetësim në lidhje me ndikimin mjedisor", tha kancelari gjerman, duke shtuar se qëndrueshmëria duhet të jetë prioritet në operacionet e minierave.

Gjermania, prodhuesi më i madh i automjeteve dhe fuqia industriale në Evropë, kërkon të diversifikojë zinxhirët e saj të furnizimit me lëndë të parë dhe të nxisë prodhimin në Evropë.

Projekti i planifikuar i minierave të litiumit në qytetin gjerman Freiberg parashikohet të prodhojë 15 mijë tonë hidroksid litium të shkallës së baterisë në vit. Autoritetet gjermane thonë se prodhimi do të plotësonte kërkesën vjetore për 1 milion bateri makinash elektrike me madhësi mesatare.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın