Ayhan Şimşek
16 Qershor 2023•Përditësim: 16 Qershor 2023
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka bërë të ditur se vendi i tij këtë vit do ta miratojë reformën në ligjin për shtetësinë dhe do t’u mundësojë emigrantëve shtetësinë e shumëfishtë, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Scholz tha se qeveria e tij e koalicionit aktualisht po përgatit një projektligj që do të lehtësojë procesin e natyralizimit.
“Me reformën, kushdo që merr shtetësinë gjermane, do të mund ta mbajë shtetësinë e mëparshme”, tha kancelari gjerman, duke shtuar se aktualisht ky është rasti për shtetasit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe disa vendeve të tjera.
Siç theksoi ai, kjo është një reformë e nevojshme dhe “tani po hyjmë në përfundim dhe kjo do të realizohet brenda këtij viti”.
Mbi 10 milionë nga popullsia e përgjithshme 84-milionëshe e Gjermanisë janë të huaj dhe shumë prej tyre nuk kanë shtetësi gjermane, edhe nëse kanë jetuar prej kohësh në vend.
Kancelari Scholz vazhdimisht ka deklaruar se përshpejtimi i procesit të natyralizimit do të rrisë integrimin dhe pjesëmarrjen sociale e politike të emigrantëve.