Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së takoi krerët e lartë institucional të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi rëndësinë që Bosnjë e Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, si një obligim i marrë nga Procesi i Berlinit

Prishtinë
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq, është pritur në takim nga krerë të institucioneve të larta në Kosovë, në kuadër të konsultimeve të tij në mbarë Evropën Juglindore, me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal, transmeton Anadolu.
Kapetanoviq në vizitën e tij në Prishtinë takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Kapetanoviq në këto takime theksoi përkushtimin e RCC-së për të nxitur bashkëpunimin dhe integrimin rajonal përmes nismave strategjike të tij. Këto përfshijnë Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Strategjinë Evropa Juglindore 2030 (SEE2030) – një përpjekje e përbashkët e të 13 ekonomive të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
"RCC është e përkushtuar të promovojë dialogun dhe bashkëpunimin rajonal si një katalizator për rritjen ekonomike, stabilitetin dhe prosperitetin në Evropën Juglindore. Puna jonë fokusohet që agjendat rajonale për të cilat lehtësojmë zbatimin të sjellin rezultate të prekshme dhe të orientuara drejt qytetarëve. Zbatimi i suksesshëm i CRM-së, Agjendës së Gjelbër dhe SEE2030 kërkon vendosmëri të përbashkët, partneritete të forta institucionale dhe përkushtim për të kapërcyer sfidat e përbashkëta", theksoi Kapetanoviq.
Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani gjatë takimit vlerësoi nismat rajonale të cilat po kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet shteteve fqinje në rajon, sikurse Procesi i Berlinit.
"Duke folur për Procesin e Berlinit, presidentja Osmani theksoi nevojën për të punuar edhe më shumë në rikthimin e fokusit në tema të interesit të veçantë, siç është zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftërave të fundit në Ballkanin Perëndimor", njofton Presidenca.
Kryeministri Kurti në takim me Kapetanoviqin duke potencuar rëndësinë e barazisë në organizatat rajonale, nënvizoi nevojën për një përfaqësim të drejtë në pozitat drejtuese dhe në stafin e RCC-së dhe inkurajoi organizimin e më shumë aktiviteteve të RCC-së në Prishtinë. Kurti tha se Agjenda e Gjelbër duhet të sigurojë një tranzicion të drejtë dhe, në këtë drejtim, duhet të garantohet qasje e barabartë në mekanizmat e financimit.
Ai po ashtu sa i përket bashkëpunimit rajonal, përmendi edhe faktin që nga 1 janari i këtij viti, Kosova ka filluar zbatimin e njëanshëm të marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime me Bosnjë e Hercegovinën, e cila ka rritur lëvizshmërinë e qytetarëve të Bosnjës drejt Kosovës.
Kurti theksoi rëndësinë që Bosnjë e Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, si një obligim i marrë nga Procesi i Berlinit dhe në funksion të rritjes së lëvizshmërisë mes qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, por edhe në funksion të thellimit të bashkëpunimit e integrimit ekonomik të rajonit.
Gjatë vizitës, Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së u takua gjithashtu me Shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, dhe presidentin e Forumit të Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 (WB6 CIF), Lulzim Rafuna.