Servet Günerigök
10 Dhjetor 2020•Përditësim: 10 Dhjetor 2020
Senati i SHBA-së refuzoi dy rezoluta të mërkurën që kërkonin bllokimin e shitjes së armëve me vlerë 23 miliardë dollarë për Emiratet e Bashkuara Arabe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Senatorët votuan 47-49 për rezolutën që kundërshton shitjen e avionëve F-35 dhe 46-50 për rezolutën që kundërshton shitjen e dronëve Reaper, duke arritur një shumicë të ngushtë, ose 51 vota në Senatin prej 100 anëtarësh.
Rezolutat u prezantuan nga senatorët demokratë, Robert Menendez dhe Chris Murphy dhe senatori republikan Rand Paul.
Duke folur para votimit, Paul tha se është koha që të studiohet me kujdes situata në Lindjen e Mesme dhe të merren në konsideratë efektet e një gare të përshpejtuar të armatosjes në rajon.
"Kjo është arsyeja pse qeveria jonë nuk duhet të nxitojë për të miratuar këtë shitje", tha ai.
Menendez, anëtar i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, tha se shumë aspekte të shitjes së propozuar mbeten konceptuale.
"Na kërkohet të mbështesim një transferim të rëndësishëm të teknologjisë së përparuar amerikane pa qartësi në një numër detajesh kryesore në lidhje me shitjen ose përgjigje të mjaftueshme për pyetjet kritike të sigurisë kombëtare", tha ai.
Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në SHBA, Yousef al-Otaiba, mirëpriti votimin, duke thënë se "mbështetja e vazhdueshme e SHBA-së mundëson që EBA të marrë barrë më të madhe për sigurinë tonë kolektive - tonën, tuajën dhe të partnerëve tanë".
"Kjo përmirëson ndërveprimin SHBA-EBA dhe na mundëson të jemi më efektivë së bashku. Na bën të gjithëve më të sigurt. Të hapur, tolerantë dhe të orientuar drejt së ardhmes. EBA po harton një rrugë të re pozitive për Lindjen e Mesme. Ne jemi të përkushtuar në de-përshkallëzimin rajonal dhe dialog", tha misioni i EBA-së në Washington.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump njoftoi zyrtarisht ligjvënësit më 10 nëntor për qëllimin e saj për t'i shitur më shumë se 23 miliardë dollarë armë EBA-së, përfshirë avionët luftarakë Stealth F-35, dronët Reaper, raketa ajër-ajër dhe ajër-tokë dhe municione të tjera.
Abu Dhabi normalizoi plotësisht marrëdhëniet me Izraelin si pjesë e presionit të presidentit Trump për t'i hapur rrugën shteteve të tjera arabe për vendosjen e lidhjeve diplomatike me Izraelin. Pavarësisht marrëdhënieve të ngrohta me EBA-në, lobet izraelite kanë shprehur shqetësime lidhur me shitjet e armëve të avancuara vendit të vogël arab.