Elvir Hociç
16 Korrik 2017•Përditësim: 17 Korrik 2017
SEUL (AA) - Autoritetet e Koresë së Jugut në ditët e ardhshme do t'i propozojnë bisedime ushtarake Koresë së Veriut me qëllim të ndërprerjes së armiqësive në zonën kufitare, e që janë në përputhje me njoftimet e mëparshme të Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyrtari i paemëruar i Qeverisë së Koresë së Jugut ka deklaruar se ministrat përkatës të Seulit janë duke përgatitur propozim për bisedime paqësore i cili javën që vjen pritet t'i dorëzohet Phenianit zyrtar.
Presidenti i Koresë së Jugut Moon më 6 korrik në Berlin, deklaroi se ka një vizion se si të sjellë paqe në Gadishullin Korean dhe njoftoi se do të propozojë bisedime ushtarake, ashtu që tensionet në zonën kufitare të përfundojnë deri më 27 korrik dhe shënimit të përvjetorit të përfundimit të Luftës së Koresë në vitin 1953.
Moon gjithashtu ka paralajmëruar se do të propozojë që më 4 tetor të organizojë ribashkimin masiv të familjeve të ndara nga Lufta e Koresë, kurse kjo datë është e rëndësishme për koreanët si fillimi i vjeshtës dhe dhjetë vjetorit të samitit të dytë dhe të fundit korean.
Reagimi i parë nga Koreja e Veriut ndaj deklaratave të Moon erdh dje kur gazeta pro-regjimit "The Rodong Sinmun" njoftoi se Pheniani ishte "i lumtur" që Moon në programin e e qeverisë së tij respekton marrëveshjet e samitit brenda-koreane të vitit 2007 dhe 2010.
Kjo është marrëveshja parimore për intensifikimin e bashkëpunimit për qarkullimin e mallrave dhe njerëzve në kufi.
Koreja e Veriut ka bërë të ditur se zgjidhja e çështjeve të hapura është hapi i parë drejt përmirësimit të marrëdhënieve mes dy Koreve.