SHBA, 82 shkencëtarë fitues të Çmimit Nobel mbështesin kandidaten Harris
Shkencëtarët që kanë fituar Çmimin Nobel në fusha të tilla si fizikë, kimi, mjekësi dhe ekonomi kanë shkruar një letër të përbashkët ku thuhet se mbështesin Harrisin në garën presidenciale në SHBA
Istanbul
Në SHBA, 82 shkencëtarë dhe ekonomistë fitues të Çmimit Nobel, njoftuan se do të mbështesin kandidaten demokrate për presidente, Kamala Harris, në zgjedhjet e 5 nëntorit, transmeton Anadolu.
Sipas "The New York Times" (NYT), shkencëtarët që kanë fituar Çmimin Nobel në fusha të tilla si fizikë, kimi, mjekësi dhe ekonomi kanë shkruar një letër të përbashkët ku thuhet se mbështesin Harrisin në garën presidenciale në SHBA.
Thuhet se 82 shkencëtarët në mesin e të cilëve edhe prof. dr. Daron Acemoğlu, profesori turk i cili fitoi Çmimin Nobel në Ekonomi më 14 tetor 2024, kanë thënë në letër se janë të shqetësuar se kandidati republikan Donald Trump mund të pengojë zhvillimet në fusha të tilla si shkenca, teknologjia dhe ndryshimet klimatike nëse ai bëhet president.
Në letër theksohet se këto janë zgjedhjet presidenciale më të rëndësishme ndonjëherë në aspektin e të ardhmes së SHBA-së dhe botës shkencore ndërsa Harris vlerësohet se është e vetëdijshme se rritja e standardeve të jetesës dhe mesatarja e jetëgjatësisë në 200 vitet e fundit janë kryesisht për shkak të zhvillimeve në fushën e shkencës dhe teknologjisë.
Gjithashtu në letër vlerësohet edhe fakti që Harris është e vetëdijshme për rolin që luajnë emigrantët në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë.
Profesori i Universitetit të Kolumbisë dhe ekonomisti fitues i Çmimit Nobel, Joseph Stiglitz i cili hartoi letrën e mbështetjes, duke tërhequr vëmendjen mbi propozimet e Trumpit për shkurtime në buxhetet e shkencës dhe retorikën e tij anti-shkencë tha: "Shpresoj se ky do të jetë një zgjim për njerëzit".