Kasım İleri
02 Shkurt 2021•Përditësim: 02 Shkurt 2021
Departamenti i Shtetit të SHBA-së ka dënuar sulmet terroriste me bombë që organizata terroriste YPG/PKK ka kryer në Azaz, Bab dhe Afrin të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price bëri një deklaratë me shkrim lidhur me çështjen.
Në deklaratën ku nuk përmendet "YPG/PKK", zëdhënësi Price tha: "SHBA dënon sulmet terroriste në Azaz, Bab dhe Afrin ku humbën jetën të paktën 20 civilë, përfshirë edhe fëmijë. Shprehim ngushëllimet për familjet e atyre që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve në këto sulme të ulëta dhe të neveritshme".
Ai shtoi se SHBA-ja është e shqetësuar nga sulmet me autobomba në rritje, kryesisht në muajt e fundit. "Përgjegjësit e këtyre sulmeve duhet të nxirren përballë drejtësisë. Këto akte kërcënojnë popullin e Sirisë dhe destabilizojnë edhe më shumë rajonin", tha Price.
Kujtojmë se 10 persona humbën jetën dhe 24 të tjerë u plagosën në sulmet terroriste që organizata terroriste YPG/PKK kreu një ditë më parë në rajonet Azaz dhe Bab në veri të Sirisë.
Ndërsa të premten YPG/PKK aktivizoi një bombë të vendosur në një mjet në rajonin industrial të Afrinit dhe në këtë sulm terrorist humbën jetën 6 civilë ndërsa u plagosën 25 të tjerë.