Kasım İleri
17 Nëntor 2021•Përditësim: 17 Nëntor 2021
Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken tha se janë të shqetësuar nga konfliktet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe se u kanë bërë thirrje palëve që të ulin tensionet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim Blinken tha se "SHBA-ja është thellë e shqetësuar nga raportet lidhur me konfliktet intensive mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. U bëjmë thirrje të dy palëve të ndërmarrin hapa konkretë për të ulur tensionet dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm".
Ai vuri në dukje se u kanë bërë thirrje palëve që të ndërtojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta dhe konstruktive për të zgjidhur të gjitha problemet e rëndësishme, përfshirë edhe përcaktimin e kufijve.
Duke iu referuar një deklarate të bërë më 15 nëntor nga bashkëkryetarët e Grupit të Minskut, Blinken theksoi: "Rritja e tensioneve kohët e fundit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit kërkon që të gjitha problemet lidhur me mosmarrëveshjen për Karabakun ose që burojnë nga kjo të diskutohen në mënyrë të negociuar, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme".