Ahmet Furkan Mercan
01 Shkurt 2021•Përditësim: 01 Shkurt 2021
SHBA, India dhe Singapori reaguan lidhur me zhvillimet në Mianmar, ku ushtria e këtij vendi mori kontrollin e qeverisë pas arrestimit të ministres së Jashtme dhe kryetares së këshillit shtetëror, Aung San Suu Kyi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në një deklaratë me shkrim tha: "Liderëve ushtarakë të Mianmarit u bëjmë thirrje që të lirojnë të gjithë zyrtarët qeveritarë dhe liderët e shoqërisë civile dhe të respektojnë vullnetin e popullit në Mianmar ashtu sikurse është shprehur në zgjedhjet demokratike më 8 nëntor".
Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Indisë thuhet se zhvillimet në Mianmar po ndiqen me një shqetësim të thellë. "India është gjithmonë e vendosur për të mbështetur procesin demokratik të tranzicionit në Mianmar. Duhet të mbrohet sundimi i ligjit dhe tranzicioni demokratik", thuhet në deklaratë.
Ndërkohë në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Singaporit, tërhiqet vëmendja se situata e fundit në Mianmar po ndiqet nga afër dhe me një "shqetësim të madh". "U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ruajnë vetëpërmbajtjen, vazhdimin e dialogut dhe të tregojnë përpjekje drejt një rezultati pozitiv dhe paqësor", thuhet në deklaratë.
Grusht shteti dhe gjendje e jashtëzakonshme pas arrestimeve
Në një deklaratë nga organet publikuese të ushtrisë së Mianmarit u konfirmuan pretendimet për grusht shteti pas arrestimeve në orët e mëngjesit.
Bëhet e ditur se vendi ndodhet nën qeverisjen e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing dhe se grushti i shtetit është bërë mbi pretendimet për mashtrime në zgjedhjet e mbajtura më 8 nëntor 2020.
Pas puçit në vend ushtria njoftoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa Mianmari do të qeveriset me administratë ushtarake për një vit.
Komisioni zgjedhor kishte përgënjeshtruar pretendimet e ushtrisë për mashtrime në zgjedhjet të cilat më 29 janar kanë rezultuar me fitoren e partisë në pushtet të Aung San Suu Kyi.
Ushtria në vend mbështet partinë kryesore në opozitë Partinë e Zhvillimit dhe Solidaritetit për Unitet (USDP).