Yavuz Aydın
24 shkurt 2023•Përditësim: 25 shkurt 2023
SHBA-ja do të rrisë praninë e saj ushtarake në Tajvan mes tensioneve në Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore, transmeton Anadolu.
SHBA-ja planifikon të rrisë numrin e trupave në Tajvan mes 100-200 në muajt e ardhshëm, raporton "Taiwan News".
E pyetur në lidhje me rritjen e numrit të trupave në Tajvan, Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha: "Mbështetja jonë për Tajvanin dhe marrëdhëniet tona të mbrojtjes është proporcionale me kërcënimin e paraqitur nga Republika Popullore e Kinës dhe është në përputhje me politikën tonë për 'Një Kinë'. Kjo nuk ka ndryshuar".
Ministri i Mbrojtjes së Tajvanit, Chiu Kuo-cheng tha se marrëdhëniet Tajvan-SHBA nuk kufizohen vetëm në trajnimin për armë dhe pajisje amerikane dhe se ka bashkëpunim të ndërsjellë në shumë fusha.
Duke iu referuar zgjerimit të pranisë ushtarake amerikane në Tajvan, Chiu shtoi se ata kanë nevojë për më shumë informacione nga SHBA-ja për një shpjegim të detajuar.
Sipas raportit të Qendrës së të Dhënave të Fuqisë Punëtore të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, që nga shtatori 2022 ka 39 ushtarë amerikanë në Tajvan.
Thuhet se me ushtarët që do të dërgohen për të mbështetur stërvitjen e ushtarëve tajvanezë, prania amerikane në vend do të arrijë nivelin më të lartë të viteve të fundit.
Udhëheqësja e Tajvanit, Tsai Ing-wen priti një delegacion të Kongresit amerikan të cilët vizituan vendin më 21 shkurt.
Ajo theksoi se Tajvani dhe SHBA-ja duhet të rrisin bashkëpunimin e tyre ushtarak. "Në fazën tjetër, ne do të bashkëpunojmë në mënyrë më aktive me SHBA-në dhe partnerët tjerë demokratikë përballë problemeve të krijuara nga ekspansionizmi autoritar dhe ndryshimet klimatike", tha Tsai.
Më 22 shkurt, u njoftua se një kontingjent prej 500 ushtarësh në nivelin e një batalioni të Forcave Tokësore të Tajvanit do të shkonte në SHBA për shkëmbim për herë të parë në histori.