SHBA-ja kryen sulme të reja ajrore kundër Huthive në Jemen
Komanda Qendrore e SHBA-së tha se po kryen "operacione të vazhdueshme kundër terroristëve Huthi të mbështetur nga Irani"

Washington
SHBA-ja ka kryer sulme ajrore në Jemen për natën e katërt radhazi, duke shënjestruar zonat e kontrolluara nga grupi Huthi, konfirmoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) të martën vonë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në X, CENTCOM-i tha se po kryen "operacione të vazhdueshme kundër terroristëve Huthi të mbështetur nga Irani", pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kanali Al-Masirah i lidhur me Huthit raportoi se sulmet e SHBA-së kishin në shënjestër lokacione të shumta, duke përfshirë provincën veriore Saada dhe qytetin port strategjik Al-Hudaydah.
Më shumë se 50 njerëz u vranë dhe gati 100 u plagosën në sulmet e SHBA-së këtë fundjavë, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi "ferr mbi koka" nëse grupi vazhdon sulmet e tij ndaj anijeve në Detin e Kuq.
Huthit kanë sulmuar anijet e lidhura me Izraelin që kalojnë nëpër Detin e Kuq dhe atë Arab, Ngushticën Bab al-Mandab dhe Gjirin e Adenit me raketa dhe dronë që nga fundi i vitit 2023, duke ndërprerë tregtinë globale për atë që thuhet se ishte shfaqje solidariteti me Rripin e Gazës.
Grupi ndaloi sulmet kur një armëpushim në Gaza u shpall në janar midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, por kërcënoi të rifillojë kur Izraeli bllokoi gjithë ndihmën për Gazën më 2 mars.