Washington DC
Të paktën një person u vra dhe 22 të tjerë u plagosën në të shtënat në Kansas City në shtetin amerikan të Misurit pas një parade të fitores së Super Bowl për Kansas City Chiefs, tha policia të mërkurën, raporton Anadolu.
"Ky është ende një hetim aktiv", tha shefja e policisë në Kansas City, Stacey Graves gjatë një konference për media. Graves tha se policia ka gjetur armë zjarri, por nuk ka bërë të ditur numrin apo kalibrin e tyre.
"Ne kemi tre persona të arrestuar dhe nën hetim për incidentin e sotëm", tha ajo. Tetë persona të plagosur janë "në rrezik për jetën", tha shefi i zjarrfikësve në Kansas City, Ross Grundyson.
Të shtënat ndodhën pranë stacionit "Union". Viktima e të shtënave është një DJ e identifikuar si Lisa Lopez-Galvan, e cila punonte në radio stacionin KKFI 90.1. "Me pikëllim të thellë dhe zemër të thyer njoftojmë komunitetit tonë se DJ e KKFI Lisa Lopez, moderatorja e Shija e Tejano, humbi jetën sot nga të shtënat në tubimin e KC Chiefs", tha stacioni në Facebook.
"Ky akt i pakuptimtë ka marrë një person të bukur nga familja e saj dhe nga ky komunitet i DK-së", shtoi ajo.
Presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi Kongresit të ndalojë armët e sulmit, të kufizojë karikatorët me kapacitet të lartë dhe të forcojë kontrollet. "Këto ngjarje duhet të na prekin, të na tronditin, të na turpërojnë. Çfarë po presim? Çfarë tjetër duhet të shohim? Sa familje të tjera duhet të copëtohen?", tha Biden në një deklaratë.
Policia tha më parë se ka marrë në paraburgim dy të dyshuar të armatosur për hetime të mëtejshme. Duke folur në konferencë, kryebashkiaku Quinton Lucas tha se të gjithë lojtarët, trajnerët dhe stafi i Kansas City Chiefs janë të sigurt dhe janë së bashku pas të shtënave.
NFL shprehu dhimbje dhe ngushëllime për të shtënat. "Jemi thellësisht të pikëlluar nga të shtënat e pakuptimta që ndodhën sot afër fundit të tubimit në Kansas City për Chiefs. Mendimet tona janë me viktimat dhe të gjithë të prekurit", tha NFL në X.