Emre Aytekin
21 gusht 2020•Përditësim: 22 gusht 2020
Në qytetin Portland në Oregon të SHBA-së deri më sot janë arrestuar mbi 500 persona në protestat kundër racizmit që filluan pas vrasjes së afroamerikanit George Floyd nga policia në qytetin Minneapolis, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në raportin e publikuar nga Byroja e policisë në Portland thuhet se që nga 29 maji kur kanë filluar protestat e deri më tani në qytet janë zhvilluar protesta për 83 netë dhe se 17 prej këtyre protestave janë shpallur "të paligjshme".
Gjatë këtyre protestave janë arrestuar më shumë se 500 persona, thuhet ndër të tjera në raport.
Gjithashtu bëhet e ditur se protestuesit në protestën e 41-të kanë djegur ndërtesa dhe automjete ndërsa në të 49-ën janë vërejtur plaçkitje dhe raste të vandalizmit dhe në të 58-ën janë hedhur objekte djegëse dhe shpëthyese.
- Përpjekja e qeverisë federale për ndërhyrje shkaktoi debate
Presidenti amerikan, Donald Trump dërgoi përforcime me forcat federale të sigurisë në qytet për shkak të protestave masive në Portland.
Arrestimi i protestuesve me mjete civile nga forcat e sigurisë federale pa identifikim shkaktoi reagime në të gjithë vendin.
Gjykata rajonale e Oregonit lëshoi një urdhër të përkohshëm mbrojtjeje kundër shpërndarjes nga forcat e sigurisë të vëzhguesve dhe gazetarëve që ndiqnin protestuesit dhe demonstratat.