Gamze Türkoğlu Oğuz
21 Dhjetor 2018•Përditësim: 21 Dhjetor 2018
ANKARA (AA) - SHBA është optimiste se përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës bërthamore në Gadishullin Korean do të funksionojnë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesi special i qeverisë amerikane për Korenë e Veriut, Stephen Biegun i cili ka vizituar Seulin kryeqytetin e Koresë së Jugut, pas bisedimeve të zhvilluara me zyrtarët koreanojugorë, në lidhje me çarmatimin bërthamor tha se dëshirojnë që "të kalojnë në fazën e mëpasshme të negociatave" me Korenë e Veriut dhe të zhvillojnë një samit të dytë mes presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe liderit koreanoverior Kim Jong-un.
Duke mos përmendur deklaratën e fundit të Koresë së Veriut në lidhje me sanksionet, Biegun tha se "SHBA-ja nuk ka ndërmend të lirojë sanksionet tona të njëanshme apo sanksionet e OKB-së". Po ashtu më tej Biegun ka thënë se Washingtoni është i gatshëm të eksplorojë mundësi të tjera për të ndërtuar besimin me Korenë e Veriut dhe për të ecur përpara me diplomacinë.
Pasi ka njoftuar se me zyrtarët në Korenë e Jugut kanë diskutuar hapat pajtues për të zvogëluar tensionet me Korenë e Veriut, Biegun tha se zyrtarët e SHBA-ve do të bisedojnë me homologët e Koresë së Veriut mbi detajet e samitit të planifikuar mes Trump dhe Kim.
Në ditën e parë të vizitës së tij në Korenë e Jugut, Biegun ka njoftuar se administrata e Washingtonit në kuadër të përpjekjeve për të zgjidhur ngërçin në negociatat bërthamore dhe me qëllim për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare ka rishikuar lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit në Korenë e Veriut.
Në një koment të publikuar ditën e djeshme në agjencinë zyrtare të lajmeve KCNA të Koresë së Veriut, ishte mbrojtur ideja se vendosmëria e SHBA-ve për pastrimin e Gadishullit Korean nga armët bërthamore do të shihet vetëm nëse ky vend heq sanksionet ndaj vendit.