Michael Hernandez
06 Mars 2019•Përditësim: 06 Mars 2019
SHBA-të kanë paralajmëruar bankat e huaja dhe institucionet financiare, duke theksuar se do të përballen me sanksione nëse ata mundësojnë çfarëdo transaksione për Qeverinë e Venezuelës, raporton Anadolu Agency (AA).
Këshilltari Kombëtar për Siguri i SHBA-ve, John Bolton, tha se bankat do të përballen me dënime të natyrës ekonomike “nëse janë të përfshira në mundësimin e transaksioneve joligjore nga të cilat përfiton Nicolas Maduro dhe rrjeti i tij i korruptuar”, duke iu referuar presidentit të Venezuelës.
“Ne nuk do të lejojmë që Maduro të vjedh pasurinë e popullit të Venezuelës”, tha në një deklaratë Bolton.
SHBA-të dhe disa shtete tjera kanë njohur presidentin e Parlamentit Kombëtar të Venezuelës, Juan Guaido, si president legjitim të vendit pasi ai e shpalli veten si president të përkohshëm më 23 janar, përskaj protestave mbarëkombëtare.
Mirëpo, Maduro me vendosmëri ka rezistuar ndaj thirrjeve nga Guaido dhe mbështetësve të tij që të tërhiqet nga pushteti, duke insistuar se ai është viktimë e një grusht shteti të orkestruar nga SHBA-të.
Washingtoni zyrtar ka udhëhequr një fushatë ndërkombëtare për të zbatuar presion ekonomik dhe diplomatik mbi presidentin Maduro, duke përfshirë edhe sanksione mbi kompaninë e naftës e cila është në pronësi të shtetit venezuelian, si dhe ka vendosur në listën e zezë zyrtarët qeveritarë të cilët i kanë mbetur besnik presidentit Maduro.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Venezuela po përjeton mungesa të përhapura të ushqimit e ilaçeve dhe ka normën më të lartë të inflacionit në botë. Ekonomia e saj ka qenë në rënie të shpejtë pas rënies globale të çmimit të naftës së papërpunuar, eksportit kryesor të Venezuelës.
Turqia, Rusia, Irani, Kuba, Kina dhe Bolivia përsëritën mbështetjen e tyre për presidentin Maduro, i cili u zotua për ndërprerjen e të gjitha lidhjeve me SHBA-të.