Michael Gabriel Hernandez
19 Gusht 2020•Përditësim: 20 Gusht 2020
SHBA-ja njoftoi autoritetet e Hong Kongut për “pezullimin ose përfundimin” e tri marrëveshjeve bilaterale, tha Departamenti amerikan i Shtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Marrëveshjet që do të anulohen ose pezullohen në mënyrë të njëanshme mbulojnë dorëzimin e të arratisurve, transferimin e personave të dënuar dhe përjashtimet nga taksat reciproke nga të ardhurat nga anijet ndërkombëtare, tha në një deklaratë zëdhënësja e Departamentit Morgan Ortagus.
"Këto hapa nënvizojnë shqetësimin tonë të thellë në lidhje me vendimin e Pekinit për të imponuar Ligjin e Sigurisë Kombëtare, i cili ka shtypur liritë e njerëzve të Hong Kongut”, tha ajo.
SHBA-ja ka kundërshtuar Kinën për shkak të politikave të saj në Hong Kong, veçanërisht për shkak të vendimit të saj për të zbatuar një ligj të diskutueshëm të sigurisë kombëtare në territorin autonom për të cilin kritikët thonë se ka për qëllim të heshtë zërat disidentë.
Autoritetet e Hong Kongut janë njoftuar më herët gjatë ditës së sotme.
Javën e kaluar, autoritetet e Hong Kongut kryen arrestime gjithëpërfshirëse sipas ligjit të sigurisë, përfshirë ndalimin e manjatit të mediave Jimmy Lai Chee-ying dhe nëntë të tjerëve.
Themeluesi i tabloidit Apple Daily, Lai, dy djemtë e tij, dhe shtatë të tjerë, përfshirë gazetarë dhe aktivistë, u akuzuan për "bashkëpunim të huaj" përpara se të liroheshin me kusht.
Policia e Hong Kongut gjithashtu bastisi zyrat e të përditshmes së Lai-t, një media e deklaruar "pro-demokratike".
Pekini hodhi poshtë kritikat nga qeveritë perëndimore në lidhje me arrestimet, duke thënë se ato kishin për qëllim të "shmangin ndërhyrjen e huaj" në Hong Kong.
Aksioni policor erdhi një muaj pasi Kina zbatoi ligjin e saj të sigurisë kombëtare në rajonin gjysmë-autonom.
Ligji kriminalizoi sentimenetet anti-Kinë në rajon, i cili vazhdoi të shërbejë si një qendër e gjallë ekonomike pasi Mbretëria e Bashkuar ia dorëzoi Pekinit në vitin 1997 nën një premtim se do të gëzonte "nivel të lartë autonomie" për 50 vjet.
SHBA-ja gjithashtu ka vendosur sanksione ndaj Shefes Ekzekutive të Hong Kongut Carrie Lam dhe disa zyrtarëve të lartë aktualë dhe të mëparshëm me akuza për "minimin e autonomisë së Hong Kongut".