SHBA, studentët e Universitetit Yale protestojnë kundër vizitës së ministrit izraelit Ben-Gvir
Protestuesit pro-palestinezë të mbledhur në kampusin e Yale-s në shtetin Massachusetts, protestuan kundër ftesës së dhënë ndaj Ben-Gvirit për vizitë në universitet

New York
Studentët pro-palestinezë në Universitetin Yale të SHBA-së protestuan kundër vizitës së ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, i cili pritet të mbajë një fjalim në universitet, raporton Anadolu.
Protestuesit pro-palestinezë të mbledhur në kampusin e Yale-s në shtetin Massachusetts, protestuan kundër ftesës së dhënë ndaj Ben-Gvirit për vizitë në universitet.
Qindra studentë, të cilët ngritën një kamp mbështetës për Palestinën me 8 tenda në kampusin e universitetit, brohoritën "Ne jemi këtu dhe do ta kalojmë natën këtu" gjatë protestës së tyre që zgjati me orë të tëra.
Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, mund të shihet se disa studentë hebrenj, duke tentuar të provokojnë aktivistët iu afruan atyre teksa ata po brohorisnin.
Administrata e universitetit në një deklaratë për grupin aktivist, i cili tha në rrjetet sociale se nuk kishte lidhje me asnjë organizatë, theksoi se vendosja e tendave dhe objekteve të ngjashme në kampusin e universitetit ishte e ndaluar pa leje me shkrim.
Grupi aktivist u largua nga kampusi i universitetit pasi administrata njoftoi se studentët që rezistojnë mund të ndaloheshin nëse nuk shpërndaheshin deri në orën 23:00 me kohën lokale.
Vitin e kaluar, 48 aktivistë, 44 prej të cilëve ishin studentë të Yale-s, u arrestuan gjatë protestave pro-palestineze në kampusin e universitetit. Ndërkohë, pas këtyre ngjarjeve Universiteti Yale hoqi statusin zyrtar të grupit studentor të quajtur "Yalies4Palestine".
"Në shkelje të qartë të rregullave të Zyrës së Dekanit të Kolegjit Yale të zbatueshme për të gjitha organizatat studentore, 'Yalies4Palestine' i është hequr statusi i organizatës zyrtare studentore", thuhej në deklaratën e universitetit sipas "Yale Daily News".
Edhe pse grupi pohoi se nuk e ka organizuar protestën, universiteti vuri në dukje se "Yalies4Palestine" bëri thirrje për pjesëmarrje në rrjete sociale dhe grupi lëshoi një deklaratë publike duke marrë përsipër protestën.
Administrata e Yale-s njoftoi gjithashtu se ka nisur hetime mbi akuzat për "sjellje antisemite" gjatë protestës.