Betül Yürük
06 Nëntor 2017•Përditësim: 06 Nëntor 2017
NEW YORK (AA) - Sulmin e armatosur në një kishë të shtetit fedreral amerikan të Teksasit e ka kryer 26 vjeçari Devin Patrick Kelley, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mediat amerikane, duke cituar burime të afërta me policinë, njoftuan se sulmi, në të cilin humbën jetën 26 persona është kryer nga 26-vjeçari i bardhë Devid Patrick Kelley.
Guvernatori i Teksasit Gregg Abbott në një konferencë për media deklaroi se 26 persona janë vrarë në sulmin në kishën në Sutherland Springs. Më parë u raportua për 27 të vrarë.
Freman Martin, një zyrtar i sigurisë publike në Teksas, tha se 23 persona u vranë në kishë, dy jashtë objektit, ndërsa një person iu nënshtrua plagëve në spital.
Martin tha se sulmuesi ishte i veshur me rroba të zeza dhe mbante një jelek. Ai e la armën në vendin e sulmit dhe më vonë u gjet i vdekur në automjetin me të cilin u largua nga vendi i ngjarjes.
Ai shtoi se ka mundësi që sulmuesi të ketë kryer vetëvrasje, por nuk përjashtoi mundësinë që të jetë ndjekur nga banorët e lagjes dhe të jetë qëlluar me armë.
Burimet lokale thonë se rreth 50 veta rregullisht merrnin pjesë në kishë, kurse në mesin e të vrarëve është edhe një fëmijë dyvjeçar. Jetën gjithashtu e ka humbur edhe vajza 14-vjeçare e priftit lokal.
Presidenti i SHBA-ve Donald Trump u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave nëpërmjet Twitter-it dhe theksoi se tërë rastin ishte duke e ndjekur nga Japonia ku po qëndron në një vizitë zyrtare.
Gjithsej 26 persona u vranë në sulmin e armatosur që ndodhi dje në kishën koptike në shtetin amerikan të Teksasit. Një sulmues i armatosur hyri në kishë në Sutherland Springs dhe hapi zjarr ndaj të pranishmëve.