Mohamed Sabry Emam Muhammed
18 Dhjetor 2017•Përditësim: 18 Dhjetor 2017
RIJAD (AA) – Mbreti saudit Salman bin Abdulaziz ka pritur në takim drejtorin e Agjencisë Qendrore të Zbulimit të SHBA-ve (CIA), Mike Pompeo, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Agjencisë zyrtare saudite të shtypit, gjatë takimit mbreti saudit dhe shefi i CIA-s kanë biseduar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet e fundit në rajon.
Takimi i ditës së sotme gjithashtu u ndoq nga djali i mbretit, Princi Khalid bin Salman, i cili shërben si ambasador i mbretërisë në Washington, së bashku me ministrin e Jashtëm Adel al-Jubeir, shefin e inteligjencës Khalid al-Humaidan dhe shefin e gjykatës mbretërore Khalid al-Issa.
Pompeo është zyrtari i parë i nivelit të lartë i SHBA-ve që viziton rajonin që kur presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, më 6 dhjetor njoftoi njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, duke shkaktuar reagime nga e gjithë bota arabe dhe muslimane.
Në Samitin e jashtëzakonshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OIC), të mbajtur javën e kaluar në Stamboll, u deklarua se Kudsi Lindor është kryeqytet i Palestinës.
Kudsi mbetet zemra e konfliktit palestinezo-izraelit, me palestinezët duke shpresuar që Kudsi Lindor, tani i pushtuar nga Izraeli, mund të shërbejë përfundimisht si kryeqyteti i një shteti palestinez.