Bota

Shefi i Pentagonit nënshkruan qarkoren për rikthimin e personelit të pavaksinuar për COVID-19

"Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të rikthyer ata që janë prekur nga kjo politikë sa më shpejt të jetë e mundur", ka thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth

Elif Gültekin Karahacıoğlu, Irmak Akcan  | 24.04.2025 - Përdıtësım : 24.04.2025
Shefi i Pentagonit nënshkruan qarkoren për rikthimin e personelit të pavaksinuar për COVID-19

Ankara

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka nënshkruar një qarkore në lidhje me rikthimin në detyrë të personelit të Departamentit të Mbrojtjes (Pentagon), të cilët janë shkarkuar për shkak të mosmarrjes së vaksinës kundër COVID-19, transmeton Anadolu.

Sipas një deklaratës të Pentagonit, qarkorja në fjalë jep udhëzime shtesë për bordet e autorizuara për rishqyrtimin e situatave të personelit të larguar nga detyra për shkak të detyrimit të vaksinimit për COVID-19.

Qarkorja, e cila përfshin anulimin e masave të ndërmarra ndaj personelit që kishte refuzuar të vaksinohet kundër COVID-19, parashikon marrjen e hapave korrigjues për personelin që, siç thuhet, "ka përjetuar rënie në karrierë".

"Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të rikthyer ata që janë prekur nga kjo politikë sa më shpejt të jetë e mundur", ka thënë Hegseth.

Hegseth ka deklaruar se ka pasur probleme me rikthimin e personelit dhe se ai dhe Pentagoni po punojnë për korrigjimin e këtyre problemeve.

Hegseth ka thënë se po bashkëpunojnë me Shtëpinë e Bardhë për këtë çështje dhe se duan që të gjithë "të prekurit nga detyrimi i vaksinimit" të kthehen në ushtri.

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një dekret më 27 janar në lidhje me rikthimin në detyrë të personelit të Pentagonit që u shkarkua për mosvaksinim kundër COVID-19.

Departamenti i Mbrojtjes publikoi në muajin shkurt udhëzuesin e zbatimit të këtij vendimi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın