Bota

Shefi i ushtrisë izraelite dhe ministri i financave përplasen lidhur me shpërndarjen e ndihmave në Gaza

Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbyllur kalimet e Gazës, duke bllokuar furnizimet thelbësore nga hyrja në enklavë, pavarësisht raporteve të shumta për urinë në territorin e shkatërruar nga lufta

Ahmed Asmar  | 23.04.2025 - Përdıtësım : 23.04.2025
Shefi i ushtrisë izraelite dhe ministri i financave përplasen lidhur me shpërndarjen e ndihmave në Gaza

Ankara

Ministri i Financave dhe shefi i ushtrisë së Izraelit janë përplasur në lidhje me shpërndarjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës ndërsa Tel Avivi po mban një bllokadë paralizuese në enklavën e shkatërruar nga lufta, raportojnë mediat izraelite, transmeton Anadolu.

Gjatë një takimi të kabinetit të sigurisë të Izraelit të martën mbrëma, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz ka thënë se Tel Avivi do të duhet të rifillojë dërgesat e ndihmave në Gaza brenda dy javësh.

Në përgjigje, shefi i ushtrisë Eyal Zamir ka thënë se ushtria nuk do të jetë përgjegjëse për shpërndarjen e ndihmave në enklavën palestineze, duke zemëruar ministrin e Financave nga krahu i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich.

"Ushtria nuk i zgjedh misionet e saj", është përgjigjur Smotrich.

"Ne ju kemi specifikuar se duhet të përgatiteni për këtë. Ne do të vendosim qëllimin dhe ju do të vendosni se si ta përfundoni atë", ka thënë ai.

"Nëse nuk jeni të aftë, ne do të sjellim dikë që është i aftë. Nëse ju nuk dini si ta bëni, do të gjejmë dikë që e bën", ka thënë ministri ekstremist.

Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbyllur kalimet e Gazës, duke bllokuar furnizimet thelbësore nga hyrja në enklavë, pavarësisht raporteve të shumta për urinë në territorin e shkatërruar nga lufta.

Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj në Rripin e Gazës më 18 mars, duke prishur marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që hyri në fuqi në janar.

Izraeli ka vrarë rreth 51.300 palestinezë në enklavë që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın