Serdar Dincel
23 gusht 2026•Përditësim: 23 gusht 2026
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, ka bërë të ditur se shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, gjatë ditës së nesërme do të qëndrojë për vizitë në kryeqytetin Iranian Teheran, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, Baqaei tha se vizita e shefit të ushtrisë pakistaneze dhe delegacionit që e shoqëron synon të forcojë bashkëpunimin dypalësh dhe të mbështetet në “përpjekjet e Pakistanit për të ndihmuar në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon”.
Ai shtoi se Munir gjatë vizitës do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të lartë iranianë.
Pakistani ka luajtur rolin e një ndërmjetësi kyç mes Iranit dhe SHBA-së gjatë gjithë luftës dhe ka mbajtur kontakte të ngushta me të dyja palët.
Më 17 qershor, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi dhe nisën negociatat për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Megjithatë, bisedimet më vonë ngecën për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me garancitë e sigurisë dhe lirinë e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më strategjike në botë për furnizimet globale me energji dhe tregtinë.
Nga 8 deri më 24 korrik, SHBA-ja dhe Irani shkëmbyen sulme ushtarake, me Washingtonin që kreu sulme ndaj objektivave brenda Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj duke goditur objekte dhe pajisje ushtarake amerikane në disa vende arabe, përfshirë Jordaninë, Bahreinin dhe Kuvajtin.