Bota

Shfaqen disa detaje të negociatave për armëpushim të përhershëm dhe shkëmbim pengjesh në Gaza

Sipas informacionit të marrë nga burime të sigurisë, teksti i përgatitur në lidhje me negociatat për një armëpushim të përhershëm dhe shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit ka arritur në fazën përfundimtare

Mehmet Tosun  | 14.08.2024 - Përdıtësım : 15.08.2024
Shfaqen disa detaje të negociatave për armëpushim të përhershëm dhe shkëmbim pengjesh në Gaza

Ankara

Kanë dalë disa detaje të negociatave për një armëpushim të përhershëm dhe shkëmbim pengjesh në Gaza, transmeton Anadolu.

Sipas informacionit të marrë nga burime të sigurisë, teksti i përgatitur në lidhje me negociatat për një armëpushim të përhershëm dhe shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit ka arritur në fazën përfundimtare.

Sipas tekstit, i cili ende nuk është finalizuar, negociatat mes palëve bazohen në lirimin e 12 të burgosurve palestinezë për çdo peng të mbajtur nga Hamasi.

Fokusi i bisedimeve është se si dhe mbi çfarë baze Izraeli do t'i lirojë të burgosurit palestinezë në burgjet e veta. Izraeli, i cili ka pranuar të lirojë të dënuarit me më pak se 30 vjet burg, dëshiron që lirimi i atyre që janë dënuar me më shumë se kjo periudhë të jetë në diskrecionin e tij.

Përafërsisht 50 persona janë duke vuajtur dënime me mbi 30 vjet në burgjet izraelite, duke përfshirë Marwan Barghouti, një nga udhëheqësit simbolikë të Lëvizjes Çliruese të Palestinës. Izraeli kërkon të drejtën e vetos mbi këta emra.

Vlerësohet se ka rreth 120 pengje izraelite që mbahen nga Hamasi. Thuhet se pengjet mbahen edhe nga grupe të tjera që luftojnë kundër Izraelit në Gaza.

Thuhet se Hamasi ka shfaqur një qëndrim konstruktiv në procesin e negociatave, i cili është intensifikuar në 2,5 muajt e fundit dhe se procesi po ecën pozitivisht.

Burimet e sigurisë theksojnë se kontributi i Türkiyes në procesin e negociatave është i rëndësishëm për arritjen e kësaj faze dhe theksojnë se qëndrimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu e ngadalëson procesin.

- Gjendja e Sinwarit mund ta zgjasë procesin

Një tjetër çështje e rëndësishme në lidhje me negociatat është situata e Yahya Sinwar, i cili zëvendësoi Shefin e Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyyeh, i cili u vra në Iran.

Vlerësohet se prania e Sinwar-it në Gaza mund të zgjasë kohën për miratimin ose përgjigjen ndaj çështjeve të sjella në tryezën e negociatave.

Negociatat pritet të përfundojnë në ditët në vijim si rezultat i përpjekjeve të SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit, të mbështetur nga Türkiye, për të arritur një armëpushim të përhershëm në Gaza.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın