Shkrirja e akullnajave në Himalaje është dyfishuar
Shpejtësia e shkrirjes së akullnajave në Himalaje, në krahasim me 25 vitet e mëparshme, që nga viti 2000 është dyfishuar
Ankara
Shpejtësia e shkrirjes së akullnajave në Himalaje, në krahasim me 25 vitet e mëparshme, që nga viti 2000 është dyfishuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të BBC-së, hulumtuesit kanë krahasuar imazhet e satelitëve spiunë të periudhës së Luftës së Ftohtë dhe ato të viteve të fundit.
Hulumtuesit gjithashtu kanë krahasuar edhe të dhënat në lidhje me humbjet e akullnajave në Himalaje në periudhat 1975-2000 dhe 2000-2016.
Sipas hulumtimit është konstatuar se nga viti 1975 e deri në 2000 në vit mesatarisht është shkrirë akullnajë prej 4 miliardë ton, ndërsa shpejtësia e shkrirjes së akullnajave mes viteve 2000 dhe 2016 është dyfishuar, duke arritur në rreth 8 miliardë ton.
Punimi tregon se që nga viti 2000 lartësia e akullnajave në Himalaje është zvogëluar mesatarisht për gjysmë metri çdo vit.
Hulumtuesit nga Universiteti Colombia të cilët kanë hulumtuar 650 akullnaja të cilat shtrihen në një sipërfaqe prej 2.000 kilometra katrorë, theksuan se shkaku i shkrirjeve është rritja e temperaturës si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Rezultatet e hulumtimit janë publikuar në revistën "Science Advances".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.