Dmitri Chirciu
11 Gusht 2021•Përditësim: 11 Gusht 2021
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, tha se vendi i tij do të ndihmojë në rinovimin e ushtrisë së Armenisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shoygu u takua në kryeqytetin Moskë me ministrin armen të mbrojtjes, Arshak Karapetyan, i cili u emërua së fundmi.
Ministri rus Shoygu deklaroi se i kushtojnë rëndësi ndërveprimit me Armeninë si në nivelin dypalësh ashtu edhe në nivelin e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO).
"Jemi të gatshëm të vazhdojmë mbështetjen tonë për zbatimin e programit lidhur me rinovimin e Forcave të Armatosura të Armenisë", shtoi Shoygu.
Duke theksuar se baza ruse ndodhet në Armeni, Shoygu tha se "Armenia është aleat dhe partner kyç i Rusisë për të garantuar sigurinë në Kaukazin Jugor. Jemi jashtëzakonisht të interesuar lidhur me vazhdimin e stabilitetit në këtë rajon".
Edhe ministri armen i mbrojtjes, Arshak Karapetyan, duke vënë theksin se Rusia është një aleat strategjik për vendin e tij, u shpreh i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin "efektiv dhe intensiv" me Rusinë.