Bota

Shpallet gjendje e jashtëzakonshme pasi zjarret përfshijnë Long Islandin e New Yorkut

Erërat e forta e kanë përkeqësuar situatën, duke dërguar tym të dendur në ajër dhe duke çuar në evakuimin e një baze ushtarake dhe mbylljen e një autostrade kryesore

Gizem Nisa Çebi  | 15.03.2025 - Përdıtësım : 15.03.2025
Shpallet gjendje e jashtëzakonshme pasi zjarret përfshijnë Long Islandin e New Yorkut Foto: Thomas Hengge/AA

Istanbul

Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në New York pasi zjarret vazhdojnë të përhapen në të gjithë Long Islandin, duke detyruar evakuime dhe duke shkaktuar ndërprerje të mëdha, transmeton Anadolu.

Guvernatorja Kathy Hochul konfirmoi se zjarrfikësit, të mbështetur nga helikopterët e Gardës Kombëtare, po luftojnë me flakët pranë ‘Pine Barrens’, një zonë pyjore në lindje të qytetit të New Yorkut, e cila është shtëpi e disa qytezave.

"Kjo ende është jashtë kontrollit në këtë moment. Ne po shohim që njerëzit duhet të evakuohen nga zona e Westhampton ", tha Hochul në një intervistë për ‘News 12’.

Erërat e forta e kanë përkeqësuar situatën, duke dërguar tym të dendur në ajër dhe duke çuar në evakuimin e një baze ushtarake dhe mbylljen e një autostrade kryesore. Qyteza Southampton lëshoi ​​një paralajmërim kundër zjarreve rekreative pasi rreziku i zjarrit vazhdon të përshkallëzohet.

“Kini kujdes me trajtimin e çdo burimi të mundshëm të marrjes flakë, duke përfshirë makineritë, cigaret dhe shkrepset. Çdo do zjarr që ndizet do të ketë potencialin të përhapet shpejt”, paralajmëroi shërbimi i motit.

Autoritetet vazhdojnë të monitorojnë situatën derisa ekipet e emergjencës po punojnë për të frenuar flakët.

Të dhënat satelitore të NASA-s zbuluan zjarret dhe tymin që shtrihen në afër 2.5 milje (4 kilometra) përgjatë autostradës Sunrise, një rrugë kryesore për në skajin lindor të Long Islandit. Hochul tha se shtëpitë aty pranë, një fabrikë kimike dhe një magazinë e Amazon janë në rrezik.

Derisa zjarret shpërthejnë, videot e mediave sociale treguan tymin e ngritur lartë pranë rrugës ‘Belt Parkway’ në Brooklyn, ndërkohë shkaku i atij zjarri mbetet i panjohur. Deri më tani nuk është raportuar për të lënduar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.