Shpërthejnë protestat në Karaçi pasi India pezulloi traktatin e ndarjes së ujit me Pakistanin
India pezulloi një traktat të ujit të arritur para disa dekadash me Pakistanin fqinj, një ditë pasi persona të panjohur të armatosur sulmuan turistët në Kashmirin e administruar nga India

Shkup
Në kryeqytetin pakistanez Karaçi është mbajtur një demonstratë kundër pezullimit të njëanshëm nga India të traktatit të ndarjes së ujit me Pakistanin, raporton Anadolu.
Dje, India pezulloi një traktat të ujit të arritur para disa dekadash me Pakistanin fqinj, një ditë pasi persona të panjohur të armatosur sulmuan turistët në Kashmirin e administruar nga India.
India ka shpallur këshilltarët ushtarakë, të mbrojtjes, të marinës dhe ato ajror të Islamabadit si persona të padëshiruar në Komisionin e Lartë Pakistanez në New Delhi, duke u dhënë atyre një afat prej një javësh për t’u larguar nga vendi.
India gjithashtu mbylli pikën kufitare Wagah me Pakistanin, si dhe do të kufizojë vizat sipas kornizës rajonale të SAARC-it për qytetarët pakistanezë.
Të paktën 26 persona u vranë pasi disa persona të panjohur të armatosur të martën hapën zjarr ndaj turistëve në Kashmirin e administruar nga India, duke e detyruar kryeministrin Narendra Modi të ndërpresë udhëtimin e tij në Arabinë Saudite.
Vendimet u morën në një takim urgjent të Komitetit të Sigurisë së Kabinetit të kryesuar nga kryeministri Modi në New Delhi.
India gjithashtu do të tërheq këshilltarët e saj të mbrojtjes, marinës dhe ato ajror nga Komisioni i Lartë Indian në Islamabad. Sipas njoftimit nga autoritetet indiane, postet në komisionet e larta përkatëse konsiderohen të pavlefshme.
Mes tensioneve në rritje, qeveria e Pakistanit sot ka thirrur një takim të Komitetit të Sigurisë Kombëtare për të vendosur se si t’i përgjigjet vendimeve të njëanshme të Indisë.
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, kryeson komitetin, i cili përfshin shefat e tre shërbimeve të armatosura dhe zyrtarë të tjerë.
- Traktati i Ujit Indus
New Delhi ka pezulluar Traktatin e Ujit Indus (IWT), një marrëveshje 64-vjeçare për ndarjen e ujit midis dy vendeve rivale.
Dy rivalët ndajnë ujin e gjashtë lumenjve nën traktatin IWT, një marrëveshje për ndarjen e ujit e ndërmjetësuar nga Banka Botërore në vitin 1960.
Sipas marrëveshjes, India merr ujërat e lumenjve Sutlej, Beas dhe Ravi, derisa Pakistani merr ujërat e lumenjve Indus, Jhelum dhe Chenab.
Pakistani ka akuzuar Indinë për “shkelje të vazhdueshme” të traktatit duke ndërtuar diga në lumenjtë perëndimor, ndërsa India beson se Islamabadi ka më shumë ujë se New Delhi si rezultat i traktatit.
Pezullimi i traktatit, sipas disa ekspertëve, do të përkeqësojë më tej tensionet mbi këtë çështje, duke i dhënë New Delhit një avantazh për të shfrytëzuar rregullimin e ujit.
Kjo është hera e parë që nga nënshkrimi i traktatit në vitin 1960 që njëra nga palët e ka pezulluar atë në mënyrë të njëanshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.