Yavuz Aydın
26 shtator 2023•Përditësim: 26 shtator 2023
Shumë persona kanë humbur jetën dhe mbi 200 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi në një zonë për depozitimin e benzinës në afërsi të rrugës Khankendi-Askeran në rajonin Karabak të Azerbajxhanit, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të "Armenpress", agjencisë zyrtare të lajmeve të Armenisë, mësohet se shpërthimi ka ndodhur në një objekt për depozitimin e benzinës që ndodhet mbi rrugën Askeran.
Përfaqësuesit armenë në Karabak theksuan se si pasojë e shpërthimit dhe zjarrit të paraqitur më pas ka shumë të vdekur dhe të plagosur.
Thuhet se të gjitha spitalet në Khankendi kaluan në situatë emergjente, se numri i të plagosurve ka tejkaluar 200, se numri i të vdekurve nuk dihet dhe se shumica e të plagosurve janë në gjendje të rëndë.
Ndërkohë ende nuk është përcaktuar arsyeja e shpërthimit.