Ömer Koparan,Selen Temizer
03 korrik 2019•Përditësim: 03 korrik 2019
Të paktën 2 civilë humbën jetën dhe 28 të tjerë u plagosën në dy shpërthime të njëkohshme në rajonin Al-Bab të Sirisë që janë nën kontrollin e opozitës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sulmet me bombë janë kryer njëkohësisht në qendër të rajonit Al-Bab dhe në komunën Kabbasin nëpërmjet motoçikletave të ngarkuara me bomba.
Shpërthimi në qendrën e rajonit Al-Bab ka ndodhur në afërsi të xhamisë Omer bin Hattab, ku si pasojë humbën jetën 2 civilë dhe u plagosën 15 të tjerë. Po ashtu bëhet e ditur se është dëmtuar një pjesë e xhamisë e cila ishte riparuar nga Fondacioni Diyanet i Turqisë.
Ndërsa motoçikleta tjetër me bombë ka shpërthyer në tregun e perimeve në Kabbasin ku si pasojë janë plagosur 13 civilë nga të cilët dy prej tyre në gjendje të rëndë. Derisa ekipet e Mbrojtjes Civile kanë ndërhyrë në zjarret e shkaktuara, vihet në dukje se forcat e sigurisë kanë marrë masat e tyre.
Forcat e sigurisë janë përqendruar në mundësinë se sulmet janë kryer nga YPG/PKK-ja.
Rajoni Al-Bab u pastrua nga terroristët në shkurt të vitit 2017 në operacionin "Mburoja e Eufratit". Por, për shkak se ky rajon ndodhet mes rajoneve Munbixh dhe Tel Rifat të pushtuara nga YPG/PKK-ja, ai shpeshherë është cak i sulmeve terroriste.