Halit Süleyman
01 Tetor 2015•Përditësim: 02 Tetor 2015
HOMS (AA) – Qendra e Medias në Homs raporton se avionët luftarakë rusë kanë kryer një seri të sulmeve ajrore me bomba vakum mbi territoret e kontrolluara nga opozita siriane dhe se në këto sulme ka patur viktima në njerëz, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim të Qendrës thuhet se avionët rusë bombarduan vendet Mukramiah, Sain, Telbise dhe Ganto në rajonin Homs, si dhe territoret e kontrolluara nga opozita në Hama dhe Idlib.
Komiteti për koordinim lokal të aktivistëve (LCC) raporton se në këto sulme shumë njerëz janë vrarë.
Anëtari i LCC në Homs Ahmed Humsi për AA tha se mjetet fluturuese ruse pa pilot kanë kryer fluturime zbulimi në Telbisi në Homs.
"Avionët ushtarak rusë dje dhe sot, në vend që të bombardojnë bazat e DAESH-it, kanë vënë në shënjestër bazat e opozitës. Qëllimi i Rusisë dhe regjimit të presidentit Bashar al-Asad nuk është shkatërrimi i DAESH-it, por i kryengritësve", thotë aktivisti në Homs, Ahmed Humsi.
Ish-pilot i ushtrisë siriane i cili u bashkua me opozitën në Homs, Nawaf Huseini për AA tha se sulmet në Homs dje dhe sot i kanë kryer bombarduesit rusë Su25 dhe MiG31, dhe se sulmet janë kryer pa pjesëmarrjen e ushtrisë siriane, për shkak se pilotët ishin rusë.
"Ushtria e regjimit të Asadit nuk ka avionë të këtij lloji, por ka vetëm sulmues të vjetër SU24. Këto avionë rusë mund të mbajnë deri në gjashtë ton eksploziv dhe fuqia e tyre artilerike është e madhe", tha Husseini.
Të njëjtat burime thanë se në sulmet e djeshme ajrore ruse në Homs u vranë më shumë se 30 persona.