Hussein Mahmoud Ragab Elkabany,Said İbicioğlu
02 Gusht 2019•Përditësim: 03 Gusht 2019
Presidenti i Egjiptit, Abdulfettah al-Sisi, diskutoi rifillimin e bisedimeve izraelito-palestineze me dhëndërrin dhe kryekëshilltarin e presidentit të SHBA-ve Donald Trump, Jared Kushner, në turneun e tij në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Presidenca e Egjiptit thuhet se delegacioni amerikan gjatë takimit ka dhënë informacione në lidhje me përpjekjet për të rifilluar bisedimet midis Palestinës dhe Izraelit.
Sipas deklaratës, Sisi ka shprehur mbështetje për përpjekjet për një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse dhe përpjekjet për rifillimin e bisedimeve midis Izraelit dhe Palestinës mbi themelet e një zgjidhjeje me dy shtete, që parasheh krijimin e një shteti palestinez me kryeqytet Kudsin Lindor.
Arritja e një zgjidhjeje për problemin izraelito-palestinez kontribuon në stabilitetin në rajon dhe hap dyert për horizonte të reja, është shprehur Sisi, duke shtuar se vendi i tij vazhdon koordinimin dhe konsultimin me administratën e SHBA-së lidhur me mënyrat për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Kushner arriti në Egjipt sot pasi fillimisht në kuadër të turneut vizitoi Jordaninë, ku u takua me Mbretin Abdullah, dhe më pas Izraelin.
Në delegacionin shoqërues të tij bëjnë pjesë edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Trumpit për bisedime ndërkombëtare, Jason Greenblatt si dhe Përfaqësuesi i Posaçëm dhe Këshilltari Politik i Sekretarit të Shtetit, Brian Hook.
"Marrëveshja e Shekullit"
Ekspertët besojnë se Kushner gjatë turneut të tij do të shpalosë detaje lidhur me të ashtuquajturën "Marrëveshja e Shekullit" të përgatitur nga Trump "për të zgjidhur" çështjen midis Izraelit dhe Palestinës.
Edhe pse deri më tani nuk janë dhënë detaje lidhur me marrëveshjen, disa detaje që kanë rrjedhur në media tregojnë se ajo përfshin pika që janë kundër palestinezëve.
Sipas raportimeve të mediave, plani në fjalë, në mes tjerash, parasheh që Kudsi në tërësi t'i dorëzohet Izraelit dhe që pjesa më e madhe e vendbanimeve ilegale hebreje të vazhdojë të qëndrojë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Poashtu, siç thuhet, plani nuk përmend të drejtën e kthimit të afro 6 milionë refugjatëve palestinezë të dëbuar nga Izraeli.
Presidenti palestinez Mahmud Abbas ka thënë se përveç disa ndihmave ekonomike, plani nuk përfshin asgjë në favor të popullit palestinez.