Ekip
12 Shtator 2023•Përditësim: 13 Shtator 2023
Situata shëndetësore në Libi është katastrofike pas stuhisë së shiut mesdhetar dhe përmbytjeve shkatërruese, me trupa të pajetë ende të shtrirë jashtë në shumë zona, tha një zyrtar shëndetësor libian, raporton Anadolu.
"Situata shëndetësore në zonat e goditura nga përmbytjet është katastrofike, veçanërisht në qytetin Derna", tha për Anadolu zyrtari, i cili kërkoi të mbetet anonim.
"Spitali i vetëm operativ në Derna tani është jashtë shërbimit. Kufomat janë transferuar në spitalet fushore ku janë ende të shtrirë", tha zyrtari shëndetësor.
Më shumë se 3.000 njerëz janë raportuar të vdekur dhe mijëra mbeten të pagjetur pas përmbytjeve të shkaktuara nga stuhia "Daniel" goditi Libinë lindore, sipas zyrtarëve.
Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe ka dhënë një vlerësim shumë më të lartë prej 10.000 të zhdukurve.
Raportimet fillestare tregojnë se dhjetëra fshatra dhe qytete janë prekur rëndë nga stuhia, ndërsa janë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë.
Autoritetet lokale në Derna thanë se dy diga janë shembur në qytet, duke shtuar përmbytjet shkatërruese.
Të hënën, Këshilli Presidencial i Libisë u bëri thirrje vendeve mike dhe grupeve ndërkombëtare humanitare që të ofrojnë ndihmë për zonat e goditura nga përmbytjet në rajonin lindor.
Türkiye dërgoi të hënën avionin e saj të tretë të ekipeve të kërkim-shpëtimit së bashku me ndihma humanitare shumë të nevojshme.