Ahmet Gençtürk
25 Nëntor 2022•Përditësim: 27 Nëntor 2022
Skandali i përgjimeve në Greqi është më i madh se skandali Watergate në SHBA, sipas raportueses së Komitetit Hetimor të Parlamentit Evropian për softuerin spiun Pegasus dhe softuerëve të tjerë të spiunazhit (spyware), njoftuan mediat lokale të enjten, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Megjithëse, qeveria konservatore e Nea Dimokratia (ND) pretendon se nuk ka asnjë provë të prekshme që vërteton se ajo ishte e përfshirë në përgjimin e dhjetëra politikanëve, biznesmenëve dhe gazetarëve, prova ka", tha Sophie in 't Veld, raportoi e përditshmja "Avgi", duke cituar transmetuesin publik gjerman DW.
"Duke pasur parasysh se asnjë figurë e shquar që pretendohet se është përfshirë ose që ka orkestruar operacionet e përgjimit që dëshmojnë sot e kësaj dite, është në interesin më të mirë të qeverisë që të hetojë akuzat, të cilat mbështeten në prova", tha ajo.
Ajo tërhoqi vëmendjen se edhe zyrat e Intellexa, kompania që tregtonte spyware-in izraelit Predator që u përdor në operacionet e përgjimit në vend, nuk u kontrolluan nga policia.
Skandali i përgjimit
Më 8 gusht, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis pranoi se politikani i opozitës Nikos Androulakis ishte përgjuar nga agjencia e inteligjencës greke, por mohoi të kishte njohuri për operacionin.
Skandali doli për herë të parë më 4 gusht, kur Panagiotis Kontoleon, në atë kohë kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar (EYP), deklaroi para Komisionit parlamentar se Agjencia e Inteligjencës kishte spiunuar gazetarin financiar, Thanasis Koukakis.
Më 5 gusht, Kontoleoni, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të zyrës së kryeministrit, Grigoris Dimitriadis, dhanë dorëheqje.
Hetimet parlamentare filluan pasi Androulakis u ankua te prokurorët e lartë për një përpjekje për të hakuar telefonin e tij celular me softuerin e spiunazhit Predator.
Kohët e fundit, "Documento" publikoi një listë me 33 persona të dyshuar të spiunuar nga EYP me urdhër të drejtpërdrejtë nga Dimitriadis, duke përfshirë ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, zëvendës ministrin e Mbrojtjes Nikos Hardalias, ministrin e Zhvillimit Adonis Georgiadis, ministrin e Punës Kostis Hatzidakis, ministrin e Financave Christos Staikouras, ish-kryeministrin Antonis Samaras, ish-ministrin e Rendit Publik Michalis Chrysochoidis dhe ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Alexandros Diakopoulos.
Partitë opozitare për skandalin fajësuan Mitsotakisin dhe kërkuan që qeveria e tij të shpallë zgjedhje të parakohshme, gjë të cilën ai e kundërshton.
Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian po monitorojnë nga afër zhvillimet në lidhje me skandalin.