Almir Terzic
09 Dhjetor 2021•Përditësim: 10 Dhjetor 2021
Në pjesën më të madhe të Sllovenisë po bie borë dhe në rrugë në disa vende qarkullimi ka qenë i ngadalësuar, ndërsa në shumë vende ka rrëshqitje kamionësh dhe aksidente, raporton Anadolu Agency (AA).
Reshjet e borës, në disa vende edhe të bollshme, vështirësojnë trafikun në të gjithë Slloveninë, në disa vende ka vonesa më të gjata, ndërkohë në disa pjesë në Shtajer dhe Korushka është ndërprerë edhe furnizimi me energji elektrike.
"Rregulloni shpejtësinë dhe distancën e sigurisë dhe kini parasysh se për udhëtim do t'ju duhet më shumë kohë se zakonisht. Udhëtoni vetëm me pajisje dimërore", paralajmëroi Qendra e Informacionit të Trafikut.
Në autostradën Shtajer midis Dramalj dhe lidhjes Celje-lindje me Lubjanën, korsia u mbyll për shkak të rrëshqitjes së kamionëve. Nga Maribori në Celje ka pasur vonesë të madhe. Udhëtimi nga Maribori në Lubjanë zgjat më shumë se dy orë, që është më e gjatë se zakonisht.
Përdorimi i zinxhirëve në rrugët përgjatë kalimeve Predel, Korensko Sedlo, Ljubelj dhe Jezerski Vrh është i detyrueshëm. Rruga nëpër kalimet Vrshiç dhe Volçe - Solarji është mbyllur.
Në Lubjanë kanë rënë rreth 20 centimetra borë, në Maribor rreth 13 dhe më së shumti në Kranj ku mbulesa e borës është 24 centimetra e trashë.
Në Rateçe, me 40 centimetra borë të re, mbulesa e borës tashmë është mbi 80 centimetra e trashë.
Për shkak të prognozës së kushteve të motit, Agjencia e Mjedisit të Sllovenisë (ARSO) sot lëshoi paralajmërimin portokalli për pjesën më të madhe të vendit, me përjashtim të verilindjes. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim bën thirrje për kujdes dhe veprim parandalues në rast të reshjeve.