Nour Gelle Gedi,Zeynep Hilal Karyağdı
19 Tetor 2017•Përditësim: 19 Tetor 2017
MOGADISHU (AA) – Mijëra persona morën pjesë në marshimin e organizuar në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, për t’i dënuar sulmet terroriste ku humbën jetën më shumë se 300 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Në marshim ku morën pjesë presidenti i Somalisë, Muhammed Abdullah Farmaajo, kryeministri Hasan Ali Hajri, ministra e deputetë të shumtë, ambasadori i Turqisë në Mogadishu Olgan Bekar, përfaqësuesit e misioneve diplomatike, u dënua sulmi terrorist i kryer ditën e shtunë.
Protestuesit të cilët brohorisnin “Jo terrorizmit”, “Nuk frikësohemi”, në duar mbanin flamuj të Somalisë dhe të Turqisë, si dhe pankarta me mesazhe të bashkimit kombëtar kundër sulmeve.
Gjatë fjalimit të tij në protestë, presidenti Farmaajo tha se “14 shtatori ishte një ditë shumë e keqe për Somalinë. Është dita kur terrorizmi derdhi gjakun e të pafajshmëve. Por, pas kësaj do të jetë dita kur qytetarët e Somalisë do të bashkohen kundër terrorizmit”.
Duke bërë të ditur se qeveria ka ndarë 14 milionë dollarë nga buxheti shtetëror për forcimin e përpjekjeve në luftën kundër terrorizmit, Farmaajo tha se qeveria po ashtu do të ndërtojë një jetimore për fëmijët të cilët kanë mbetur pa prindër.
Ai po ashtu falënderoi shtetet të cilat ndihmuan Somalinë dhe trajtuan të plagosurit, si dhe i bëri thirrje popullit të Somalisë që ta mbrojnë atdheun kundër terrorizmit.
Gjithashtu edhe kryeministri Hajri tha se uniteti dhe bashkimi kanë rëndësi tejet të madhe në luftën kundër terrorizmit.
Edhe në qytetet tjera u organizuan marshime për të dënuar terrorizmin.
Më shumë se 300 persona humbën jetën në sulmet me bomba të shtunën në Mogadishu.