Tufan Aktaş
15 Dhjetor 2020•Përditësim: 15 Dhjetor 2020
Somalia ndërpreu të gjitha lidhjet diplomatike me fqinjën e saj Kenia, të cilën e akuzon për ndërhyrje në punët e brendshme dhe shkeljen e integritetit të saj territorial, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Informacionit i Somalisë Osman Dube tha në televizionin shtetëror se qeveria urdhëroi që të gjithë diplomatët në Kenia të ktheheshin në vend, ndërsa diplomatëve kenianë në Somali u është dhënë 7 ditë afat për ta lëshuar vendin.
"Somalia e bëri këtë vendim pas ndërhyrjes së pacipë në punët e saj të brendshme. Administrata aktuale keniane gjithmonë dëshiron të shkaktojë probleme në Somali”, tha Dube.
Vendimi erdhi pasi Presidenti i Somalilandit, Muse Bihi Abdi, i cili ka deklaruar pavarësinë në mënyrë të njëanshme nga Somalia, u takua dje me presidentin kenian Uhuru Kenyatta.
Qeveria federale somaleze tërhoqi ambasadorin e saj në Nairobi muajin e kaluar, duke akuzuar Keninë për ndërhyrje në punët e brendshme të Somalisë, dhe i kërkoi ambasadorit të Kenisë në Mogadishu të kthehej në vendin e tij.
Marrëdhëniet midis Kenisë dhe Somalisë ishin përkeqësuar pas mosmarrëveshjes për kufirin detar në rajonin e rezervave të pasura të naftës dhe gazit në Oqeanin Indian.
Qeveria e Mogadishus gjithashtu akuzon Keninë për përfshirjen në çështjet politike në disa rajone në Somali.