Sondazh në SHBA: Çështjet "akademike" janë burimi më i madh i presionit për adoleshentët
Një sondazh i zhvilluar në SHBA tregon se burimi më i madh i presionit për vajzat dhe djemtë midis moshës 13 dhe 17 vjeç janë çështjet "akademike"

Ankara
Një sondazh i zhvilluar në SHBA tregon se burimi më i madh i presionit për vajzat dhe djemtë midis moshës 13 dhe 17 vjeç janë çështjet "akademike", transmeton Anadolu.
Qendra Kërkimore "Pew" anketoi 1.391 adoleshentë të moshës 13 deri në 17 vjeç për përvojat e tyre në shkollë, miqësitë e tyre dhe planet e tyre për të ardhmen.
Rezultatet e sondazhit treguan se çështjet "akademike" janë burimi më i madh i presionit për afro 68 për qind të pjesëmarrësve.
Përderisa 71 për qind e vajzave deklaruan se ndjenin "presion akademik", kjo ishte 65 për qind te djemtë.
- Mund të ndjejnë presion në fusha të ndryshme
Sipas sondazhit, 55 për qind e vajzave ndjejnë presion për t'u "dukur mirë", krahasuar me 39 për qind të djemve.
Ndërkaq, 43 për qind e djemve thanë se ishin nën presion për të qenë "fizikisht të fuqishëm", ndërsa kjo përqindje ishte 23 për qind te vajzat.
Sondazhi zbuloi se prioriteti kryesor i adoleshentëve për moshën e rritur 86 për qind ishte "gjetja e një pune të mirë", e ndjekur nga "gjetja e miqve të ngushtë" me 69 për qind dhe "posedimi i shumë parave" me 58 për qind.
Ndërsa prioritetet e vajzave dhe djemve janë pothuajse të njëjta, rrugët që ndjekin për t'i arritur ato mund të ndryshojnë.
Sipas kësaj, 60 për qind e vajzave pjesëmarrëse në anketë donin "të merrnin një diplomë bachelor", ndërsa kjo normë ishte 46 për qind te djemtë.