Statuja e Marcus Aurelius që u kontrabandua jashtë vendit u kthye në Türkiye
Statuja prej bronzi e perandorit romak, Marcus Aurelius, e cila u kontrabandua nga Türkiye në vitet 1960 përmes gërmimeve të paligjshme, do të kthehet zyrtarisht në Türkiye

Ankara
Statuja prej bronzi e perandorit romak, Marcus Aurelius, e cila u kontrabandua nga Türkiye në vitet 1960 përmes gërmimeve të paligjshme, me një ceremoni të mbajtur në Muzeun e Artit në Cleveland në SHBA do të kthehet zyrtarisht në Türkiye, transmeton Anadolu.
Zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit të Türkiyes, Gökhan Yazgı në postimin në llogarinë e tij në rrjetet sociale deklaroi se statuja e Marcus Aurelius do të kthehet në vend.
"Statuja unike prej bronzi që përshkruan perandorin romak Marcus Aurelius si një filozof, e cila u kontrabandua ilegalisht jashtë vendit nga qyteti antik i Boubonit në vitet 1960, u kthye zyrtarisht në Türkiye me një ceremoni të mbajtur në Muzeun e Artit të Cleveland. Pas rreth 65 vitesh përpjekjesh shkencore, juridike dhe diplomatike, statuja e Marcus Aurelius më në fund po kthehet në atdheun e saj në Anadoll", deklaroi Yazgı.
Ai theksoi se vepra në fjalë do t'u prezantohet vizitorëve si pjesë e një ekspozite speciale në Muzeun e Artit në Cleveland për tre muaj përpara se të sillet në Türkiye. "Në korrik do të marrë jetë sërish në vendin tonë, brenda kontekstit të vet kulturor. Kështu, udhëtimi i gjatë i Marcus Aurelius do të përfundojë në tokën të cilës ai i përket", tha Yazgı.