Ömer Tuğrul Çam
24 tetor 2023•Përditësim: 24 tetor 2023
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e protokollit për anëtarësim të Suedisë në NATO nga presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, duke shprehur bindjen se dokumenti së shpejti do të miratohet nga Kuvendi i Madh Popullor i Türkiyes (TBMM), raporton Anadolu.
Stoltenberg mbajti një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson, pas takimit të tyre në kryeqytetin suedez Stockholm.
Ai tha se me Kristersson kanë biseduar lidhur me procesin e aderimit të Suedisë në NATO. Stoltenberg rikujtoi se gjatë vikendit ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin turk Erdoğan.
"Mirëpres dorëzimin e protokollit të aderimit dje nga presidenti Erdoğan në TBMM", u shpreh ai, duke shtuar: "Suedia ka përmbushur angazhimet e saj. Suedia ka ndryshuar kushtetutën, ligjet, ka zhvilluar bashkëpunimin në luftë kundër terrorizmit dhe ka vazhduar t'i eksportojë Türkiyes armë".
Kreu i NATO-s gjithashtu theksoi se Aleanca ka rinovuar angazhimin e saj për të luftuar terrorizmin duke përditësuar planin e saj të veprimit dhe se ai ka emëruar një koordinator special kundër terrorizmit për herë të parë në NATO.
"Asnjë aleat i NATO-s nuk ka vuajtur aq shumë nga sulmet terroriste sa Türkiye. Jam i kënaqur që kemi mundur të trajtojmë shqetësimet legjitime të sigurisë të Türkiyes duke avancuar anëtarësimin e Suedisë. Pres me padurim të mirëpres Suedinë në një të ardhme të afërt në NATO si një anëtar i plotë", u shpreh ai.
Mes tjerash, Stoltenberg shprehu bindjen se edhe Hungaria, e cila ende nuk ka miratuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, do ta bëjë këtë sa më shpejt.