Bota

Stuhia e rërës godet Irakun, mbi 1 mijë persona me probleme të frymëmarrjes

Stuhia goditi qytetin Basra duke ulur në mënyrë drastike dukshmërinë dhe duke penguar trafikun rrugor, ndërkohë shumë qytetarë që përjetonin vështirësi në frymëmarrje u shtruan në spitale për trajtim

Ekip  | 15.04.2025 - Përdıtësım : 15.04.2025
Stuhia e rërës godet Irakun, mbi 1 mijë persona me probleme të frymëmarrjes Foto: Haidar Mohammed Ali / AA

Shkup

Një stuhi e fuqishme e rërës ka përfshirë Irakun, duke penguar rëndë jetën e përditshme dhe duke ndikuar në shëndetin publik, transmeton Anadolu.

Sipas zyrtarëve lokalë dhe autoriteteve shëndetësore, stuhia goditi qytetin Basra në jug të vendit, duke ulur në mënyrë drastike dukshmërinë dhe duke penguar trafikun rrugor, ndërkohë shumë qytetarë që përjetonin vështirësi në frymëmarrje u shtruan në spitale për trajtim.

Zyrtarët shëndetësorë thanë se më shumë se 1 mijë persona në të gjithë Irakun qendror dhe jugor janë prekur nga problemet e frymëmarrjes. Vetëm në provincat Dhi Qar dhe Basra, të paktën 530 persona kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të problemeve të frymëmarrjes.

Duke mbuluar provincat jugore me një re të trashë portokalli, stuhia uli dukshmërinë në më pak se një kilometër. Si masë paraprake, aeroportet në Najaf dhe Basra u mbyllën përkohësisht për shkak të dukshmërisë së dobët dhe kushteve të pasigurta të fluturimit.

Iraku shpesh ballafaqohet stuhi të forta rëre, të nxitura nga shkretëtirëzimi, thatësira e zgjatur dhe reshjet e pakta. OKB-ja e renditi Irakun ndër pesë vendet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike, duke përmendur ngjarjet ekstreme të motit, përfshirë stuhitë e rërës, rritjen e temperaturave dhe mungesën e ujit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın