Grupet opozitare në Sudan i kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin në sheshe pasi ushtria filloi një tentativë për të shpërndarë protestuesit para selisë së Shtabit të Përgjithshëm në kryeqytetin Khartoum, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas dëshmitarëve okularë, për herë të parë pas largimit nga detyra të presidentit të përmbysur Omar al-Bashir, Forcat e Shpejta Mbështetëse dhe bulldozerët e ushtrisë u përpoqën t'i largojnë barrikadat dhe tendat e protestuesve para selisë.
Megjithatë, grupet opozitare kundërshtuan masën e ushtrisë, duke i detyruar ushtarët të tërhiqen.
Siç njoftohet, ushtarët e tërhequr janë pozicionuar përreth protestuesve.
Grupet opozitare kanë vazhduar të protestojnë edhe pas largimit nga detyra të ish-liderit Omar al-Bashir, duke kërkuar që pushteti t'i dorëzohet një qeverie civile.
Ndryshe, më 11 prill, ministri i Mbrojtjes, Awad bin Auf, duke folur në cilësi të kreut të Këshillit të Lartë të Sigurisë, njoftoi marrjen e kontrollit mbi pushtetin nga ana e ushtrisë dhe nisjen e një periudhe dyvjeçare të tranzicionit.
Megjithatë, Auf dha la detyrën 24 orë pasi u betua si kryetar i Këshillit Kalimtar Ushtarak dhe në vend të tij emëroi kreun aktual Abdulfettah al-Burhan.
Të shtunën, Burhan shpalli një vendim të këshillit, duke njoftuar emërimin e tetë anëtarëve, përfshirë gjashtë nga ushtria, një nga policia dhe një nga inteligjenca.
Së fundmi, këshilli ka njoftuar se qeveria e re do të formohet nga politikanët.
Nga 19 dhjetori i vitit të kaluar Sudani është përfshirë nga protestat kundër krizës ekonomike, në të cilat është kërkuar dorëheqja e Omar al-Bashir.
Gjenerali Muhammed Hamdan Daklu, komandant i Forcave të Shpejta Mbështetëse që veprojnë në kuadër të ushtrisë, dje tha se Bashir është duke u mbajtur në burg shtëpiak në kryeqytetin sudanez Khartoum.