Firdevs Bulut Kartal
09 Qershor 2023•Përditësim: 10 Qershor 2023
Qeveria e Sudanit e shpalli të enjten Përfaqësuesin Special të OKB-së në vend, Volker Perthes "persona non grata", transmeton Anadolu.
"Qeveria e Republikës së Sudanit ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për shpalljen e Volker Perthes, përfaqësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe kreut të misionit UNITAMS, persona non grata", thuhet në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme sudaneze.
Përmes një letre muajin e kaluar, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, kryetar i Këshillit të Sovranitetit të Sudanit dhe kreu i forcave të armatosura, i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres të propozonte një kandidat alternativ për të zëvendësuar Perthes-in.
Al-Burhan pretendon se Perthes ka dezinformuar në raportet që i ka paraqitur, duke deklaruar se ka patur konsensus për marrëveshjen kornizë të nënshkruar më 5 dhjetor 2022 midis grupeve ushtarake dhe civile dhe se këto pretendime janë qartësisht në kundërshtim me faktet.
Duke pretenduar se prania e Perthes-it kishte ndikuar negativisht në marrëdhëniet me OKB-në, Al-Burhan tha se koha e Perthes-it në krye të misionit ishte tregues se UNITAMS nuk kishte kontribuar në tranzicion të suksesshëm.
Guterres ishte "tronditur" nga letra, shkroi në Twitter zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Ai ishte krenar për punën e Perthes-it dhe ripohoi besimin e tij të plotë tek ai, thuhet në deklaratë.