Burak Karacaoğlu,Eşref Musa
21 Mars 2019•Përditësim: 21 Mars 2019
Së paku pesë persona të një familjeje, përfshirë edhe katër fëmijë, janë vrarë gjatë një sulmi ajror në rajonin veriperëndimor sirian të Idlibit, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbrëmë vonë disa fshatra në rajonin Jisr al-Shughur dhe Kafr Ruma të Idlibit ishin shënjestër e sulmeve të ashpra ajrore.
Forcat opozitare pohojnë se sulmet janë kryer nga avionët rusë, ndërsa gjithsej gjashtë avionë fluturuan një orë pas mesnate nga baza ajrore Khimeimim.
Sipas të gjitha informacioneve, së paku pesë persona janë vrarë, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur gjatë sulmit në fshatin Al Fakii.
Mbrojtja lokale civile “Helmetat e Bardha” njoftoi se gjatë sulmit humbën jetën katër fëmijë dhe babai i tyre, ndërsa nëna e tyre është nxjerrë nga rrënojat. Katër civilë tjerë janë plagosur.
Idlibi është një nga enklavat më të mëdha nën kontrollin e opozitës në Siri. Me ndërmjetësim të Turqisë dhe Rusisë në Soçi në shtator të vitit të kaluar u arrit marrëveshje për armëpushim në Idlib dhe vendosjen e zonës se deeskalimit për civilët.
Në përputhje me marrëveshjen, forcat opozitare në tetor tërhoqën armatimin e rëndë nga rajoni, ndërsa forcat lojale të regjimit të Asadit kanë kryer një varg sulmesh artilerike dhe ajrore në këtë rajon.
Rrjeti për të Drejtat e Njeriut në Siri (SNHR) në raportin e fundit theksoi se gjatë sulmeve të regjimit që nga fillimi i vitit në Idlib janë vrarë së paku 152 persona ndërsa 445 të tjerë janë plagosur.