Stephanie Rady,Rania R.a. Abushamala
25 Shtator 2024•Përditësim: 25 Shtator 2024
Në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në rajonet jugore dhe lindore të Libanit dhe në veri të kryeqytetit Bejrut që nga orët e mëngjesit numri i viktimave është rritur në 23 ndërsa i të plagosurve në 97, transmeton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit thuhet se avionët luftarakë izraelitë kanë vazhduar sulmet ajrore në jug dhe lindje të vendit që nga orët e mëngjesit. Theksohet se një sulm ajror është kryer në veri të kryeqytetit Bejrut.
Të paktën 3 persona humbën jetën dhe 9 të tjerë u plagosën në sulmin që synonte Al-Muaysira në rajonin Keservan, në veri të Bejrutit. Në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në jug të vendit, në Ayn Qana mbetën të vrarë 3 persona dhe 13 të plagosur ndërsa 4 persona u vranë dhe 7 u plagosën në rrethin Shuf të provincës Jabal Liban.
Raportohet se 4 persona janë vrarë në qytetin Bint Cubeyl dhe 2 persona në qytetin e Tebnin ndërsa 27 të tjerë janë plagosur në këto sulme. Thuhet se 3 persona janë plagosur në sulmet ajrore në rajonet Aytana dhe Marun er-Ras.
Në sulmet ajrore të njëpasnjëshme të kryera nga ushtria izraelite në rajonin Baalbek al-Hurmul në lindje të vendit u vranë 7 persona ndërsa 38 të tjerë u plagosën. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, numri i personave që humbën jetën në sulmet ajrore të Izraelit në vend që nga 23 shtatori është rritur në 581.
Në deklaratën në llogarinë e tij në rrjetet sociale, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee tha se ata kishin bombarduar më shumë se 100 objektiva që i përkisnin Hezbollahut në Liban që nga mëngjesi. Ai tha se Izraeli vazhdoi sulmet ajrore në Liban.